Py. Le t’i kthehemi subjektit të ritmit hipnotik. Dua të di më shumë për të. A është ai një parim përmes të cilit njerëzit mund të hipnotizojnë njëri-tjetrin?
Për. Po, është e njëjta gjë. Unë sapo jua thashë këtë. Pse i përsëritni këto pyetje?
Py. A s’është e rrezikshme t’i japësh këtë lloj informacioni botës?
Për. Sigurisht është e rrezikshme. Nëse do të isha në vendin tënd s’do ta publikoja.
Py. Le të kthehemi tani tek teknikat, me anë të të cilave ju mbërtheni viktimat tuaja me shprehinë e endjes. Cili është hapi i parë që një endës duhet të ndërmarrë për të thyer shprehinë?
Për. Mjafton dëshira e zjarrtë për ta thyer! Ju sigurisht e dini se asnjeri s’mund të hipnotizohet nga një person tjetër pa vullnetin e tij për t’u hipnotizuar. Vullneti mund të supozohet si një formë e indiferencës drejt jetës, por gjithashtu, edhe si mungesë ambicieje, frike, mungesë e një qëllimi përfundimtar e shumë forma të tjera. Natyra nuk ka nevojë për miratim, me qëllim që të vendosë personin nën ritmin hipnotik. Ka nevojë vetëm ta gjejë atë të pambrojtur dhe kur ai ka neglizhuar përdorimin e mendjes së tij. Mbaje mend këtë: çfarëdo që ke ose e përdore, ose hidhe tej! Të gjitha përpjekjet për të thyer shprehinë e endjes duhet të bëhen para se natyra ta bëjë këtë shprehi të përhershme, përmes ritmit hipnotik.
Comments